FC Saraj me logo të re

Shkolla e Futbollit Saraj ka prezantuar logon e saj të re. Një gjë të tillë vendosi kryesia e këtij klubi, nën arsyetimin se logo e mëparshme nuk përmbante elemente përmes të cilave identifikohej klubi në fjalë.

Ideatori i Logos së Re, Demir Gajni theksoi se në Logon e Re të FC Saraj  janë ngërthyer disa elemente që identifikojnë Sarajin. Ai me këtë rast mes tjerash veçoi Urën e Hekurit që njihet si simboli i Sarajit.

“Kjo është Logoja e Re e KF Saraj, është simboli përmes të cilit do të identifikohen futbollistët e Shkollës së Futbollit Saraj. Siç mund të shihni në këtë Logo janë ngërthyer dy ngjyra, e kaltërta dhe e bardha. Me këto dy ngjyra do të jenë edhe fanellat e reja të KF Saraj të cilat së shpejti do ti prezantojmë. Ndërkohë elementet të cilat i ngërthen në vete kjo Logo në një far forme na identifikojnë ne si KF Saraj por identifikojnë dhe Komunën e Sarajit.  Në brendinë e Logës vërehet një hartë, që në fakt është territori i Komunës së Sarajit, që përbëhet nga gjithsejtë 24 vendbanime. Jo rastësisht e kemi vendosur këtë hartë, sepse përmes kësaj  përcjellim mesazhin se dyert e klubit janë të hapura për të gjithë fëmijët nga të gjitha vendbanimet e Sarajit por dhe më gjerë.  Yjet gjithashtu janë 24, që nënkupton se çdo vendbanimi i përket një yll. Ndërkohë kjo në mes është ura, Ura e Hekurit e Sarajit, që për ne paraqet simbolin përmes të cilit identifikohet Saraji në tërësi”, deklaroi ideatori i Logos, Demir Gajni.

Në Logo sipas ideatorit Gajni, janë përfshirë edhe dy lumenjtë që rrjedhin nëpër territorin e Sarajit dhe bashkohen pikërisht në Saraj, në Qendrën Rekreative Sportive, aty ku FC SARAJ i zhvillon stërvitjet.

“Dy vijat që i bashkon topi i futbollit, paraqesin dy lumenjtë që rrjedhin në territorin e Komunës së Sarajit, Lumi Vardar dhe Lumi Treska që bashkohen pikërisht këtu, në Saraj. Kjo është sa i përket Logos së re të FC Saraj, urojmë që futbollistët e këtij klubi ta gëzojnë këtë logo dhe ne të na bëjnë të ndihemi krenarë”, tha në fund Demir Gajni.

FC Saraj që garon në ligën e tretë, është themeluar në vitin 2011, ndërsa këtë vit u themelua edhe klubi i femrave. Vlen të theksohet se ky klub punon edhe me grupmoshat e reja, ku plotë 200 fëmijë garojnë me mjaft sukses në kuadër të ndeshjeve të organizuara nën ëmbrellën e FFM-së, ndërsa pikërisht nga këta fëmijë pritet që një ditë të krijohet boshti i skuadrës së parë, me qëllim që të ngjitet nivele më të larta në futbollin vendor.

 

 

 

Leave a Reply