KF Gostivari është bë me udhëheqësi të ri. Mbrëmë vonë në sallën e Komunës së Gostivarit, mbledhjen e saj e mbajti udhëheqësia e KF Gostivarit, e cila zgjodhi edhe drejtuesit e saj të rinj, njofton “infOSport.mk”.
Kësisoj Vlerim Iseni u zgjodh president i ri i një ndër klubeve që shihet si pretendent kryesor për inkuadrim në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.
Një gjë të tillë për portalin tonë e konfirmoi edhe vetë presidenti i ri, Iseni, i cili beson se me ndihmën e sponzorëve dhe gjithë dashamirëve të futbollit, KF Gostivari në fund do i’a arrijë qëllimit.
“Ne si klub pavarësisht ndryshimeve do të vazhdojmë rrugëtimin tonë, duke luftuar denjësisht deri në fund për të siguruar një vend për në elitën e futbollit vendor. Mendoj se Gostivari dhe tifozët e futbollit meritojnë të ndjekin ndeshje kualitative, ndërsa për të arritur një gjë të tillë besojmë se gjatë afatit kalimtarë të dimrit do të sjellim prurje të reja, me qëllim që të shtojmë konkurrencën në skuadër” – tha enkas për “infOSport.mk”, presidenti i sapozgjedhur i KF Gostivarit, Vlerim Iseni.
Përveç presidentit në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit komunal, u emërua edhe sekretari i ri i klubit, Almir Dauti, ndërsa siç na tha vetë presidenti i ri i KF Gostivarit, Vlerim Iseni, gjatë javës që vjen do të zgjidhet edhe drejtori i ri sportiv dhe kryesia e ngushtë.