Forina ende në festë pas fitores së Vardarit ndaj Skopjes (VIDEO)

Vardari i Forinës po zhvillon sezonin e parë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut. Skuadra nga Gostivari garon në konferencën e Perëndimit, ndërsa fundjavën që lamë pas realizoi një fitore mjaft të vlefshme, që me siguri se do të ngrit edhe më shumë vetëbesimin e futbollistëve të kësaj skuadre, për ndeshjet e rradhës, shkruan “infOSport.mk”.

Vardari i Forinës mundi liderin e deri para kësaj jave, Skopjen, edhe atë me rezultatin 2:0, duke i shkaktuar në këtë mënyrë disfatën e parë skuadrës shkupjane.

Hero i “kuqezinjëve” nga Forina, doli të jetë Arian Ejupi, i cili realizoi që të dy golat, nga një në secilën pjesë. Fillimisht në minutën e 7-të me një goditje të matur, me të djathtën e tij nga brendia e zonës arriti që të mposht portierin mysafir, Stevkovski, i cili në minutën e 49-të reagoi shumë dobët në zonën e tij, teksa Ejupi nuk fali dhe arriti që të mposht atë edhe për herë të dytë në këtë ndeshje.

Ishte kjo fitorja e dytë për Vardarin e Forinës në 5 javët e para, me ç’rast kjo skuadër me 6 pikë, aktualisht mban pozitën e 8-të në renditje.

Të shtunën që vjen, skuadra nga Forina do të jetë mysafire e Dritës në Bogovinë të Tetovës.

Leave a Reply