Shkëndija ka mbyllur me sukses maksimal tre ndeshjet e fundit kampionale, duke dhënë shenjat e rikthimit në identitet. “Kuqezinjtë” që hasën në vështirësi rezultatesh në katër xhirot e para kampionale ku mungonte fitorja, në vazhdim menaxhuan të bëjnë kthesë duke fituar tre takime të njëpasnjëshme.
Fillimisht u mund Rabotniçki bindshëm 3:0, ndërsa pasuan dy triumfe identike 2:0 përballë Renovës dhe Struga Trim&Lum.
Duke grumbulluar 9-të pikë maksimale ekipi ngjitet dukshëm në tabelë, ndërsa inspiron goldiferenca 7:0 në këto 3 ndeshjet e fundit.
“Sigurisht se kjo seri kthen disponimin dhe vetëbesimin në skuadër pas gjithë asaj që ndodhi në periudhën e fundit. Vlerësoj se jemi përgjigjur mirë pas startit të dobët, por kjo seri do të fitojë në vlerë vetëm nëse vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme”, – shprehet mesfushori Armend Alimi, i cili duket se kthehet në formën e vjetër pasi shënoi nga një gol në sfidat me Rabotniçkin dhe Renovën, ndërsa asistoi në të dy golat kundër Struga Trim&Lum.