Shkëndija gjatë ditës së sotme realizoi fitoren e tretë të njëpasnjëshme nën drejtimin e trajnerit, Erhan Selimi, njofton “infOSport.mk”. Kampionët në fuqi të vendit në kuadër të javës së 7-të mundën Struga Trim Lum me rezultatin 2:0, duke arritur kështu në kuotën e 10 pikëve.
Trajneri Erhan Selimi përgëzoi skuadrën për paraqitjen bindëse, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes potencoi se për dominimin e “kuqezinjëve” flet fakti se ata kishin 18-të goditje në drejtim të portës kundërshtare.
“Mendoj se e merituam këtë fitore, morëm tre pikë të planifikuara. Dominuam gjatë gjithë ndeshjes dhe ndoshta duhej rezultati të mbyllej sa më herët. Tashmë vlerësoj se nuk është rastësi, fitojmë ndeshjen e tretë me rradhë dhe vazhdojmë të ecim përpara me hapa të sigurtë. Më pëlqeu dominimi dhe fakti që kishim shumë goditje në drejtim të portës kundërshtare, dominuam ndeshjen për 90-të minuta dhe nuk lejuam kundërshtarin në asnjë moment të na rrezikonte. Mendoj se ekipi ka progres, por gjithsesi se duhet të vazhdojmë të punojmë për të ngritur nivelin edhe më lartë” – u shpreh Selimi.
Përveç tre fitoreve të njëpasnjëshme, trajnerin Selimi e gëzon fakti që skuadra nuk ka pranuar gol.
“Përgëzoj lojtarët për fitoren dhe angazhimin. Për ne si skuadër me rëndësi është të mos pranojmë gol, pastaj e dimë se kemi potencialin për të krijuar shumë raste dhe për të shënuar. Personalisht për mua nuk ka rëndësi cili shënon, por vlerësoj të marrim pikët maksimale dhe lojtarët të zbatojnë detyrat që u jepen nga stafi teknik. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe fakti që ne kemi ndeshje çdo tre ditë na bën të bëjmë rotacione në formacion, normalisht duke u dhënë të gjithëve mundësinë për të luajtur ne pushojmë lojtarë të caktuar të formacionit standard” – përfundoi Erhan Selimi.
Shkëndijën javën që vjen e presin dy përballje shumë të forta, kur fillimisht të mërkurën në kuadër të 1/8 së finales do të zhvillojë ndeshjen e parë kundër Vardarit në transfertë, ndërkohë të dielën në kuadër të javës së 8-të, po në Shkup do të përballet me FC Shkupin, skuadër kjo që tashmë do të udhëhiqet nga ish trajneri i “kuqezinjëve” nga Tetova, Qatip Osmani.