Barcelona sonte ka pësuar edhe disfatën e dytë në 5 javët e para të sezonit të ri në La Liga, duke bërë që shumica prej nesh të parashtrojmë pyetjen, çfarë po ndodh me Barcelonën? Skuadra “katalunase” sonte u mund në transfertën ndaj Granadës, 0:2, duke i lëshuar në këtë mënyrë pozitën e parë pikërisht skuadrës kundërshtare, që në 5 xhirot e para ka tubuar 10 pikë, dhe aktualisht udhëheq vallën në “La Liga”, njofton “infOSport.mk”.
Ramon Aziz shënoi golin e parë për Granadan vetëm pas 2 minutave lojë, ndërkohë autorë i golit të dytë ishte Alvaro Vadiljo në minutën e 66-të.
Barcelona zhvilloi një ndër ndeshjet e saj më të dobëta, posaçërisht gjatë pjesës së parë, kur nuk arritën të qëllojnë kuadrantin e portës kundërshtare. Futbollistët “katalunas” bënë shumë gabime në pasimet e tyre, diçka e pazakontë për Barcelonën, që pas 5 javëve të para mban pozitën e 7-të me 7 pikë, mirëpo mund të ndodh që të bie edhe më poshtë, varësisht rezultateve të skuadrave tjera që do të zhvillojnë ndeshjet e tyre gjatë ditës së nesërme.