Në Superligën e Kosovës sot në program ishin tre ndeshjet e para të javës së 5-të, njofton “infOSport.mk”.
Drita e Gjilanit që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, barazoi 2:2 ndaj Llapit në Podujevë. Liridon Leci në minutën e 48 dhe Xhilberto Fortunato (88’), ishin autorë të golave për skuadrën gjilanase, për të cilën luajtën edhe tre futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, Ardian Cuculi, Izair Emini dhe Bujamin Shabani, ndërsa në portë qëndronte maqedonasi, Darko Tofiloski.
Në anën tjetër golat për Llapin i shënuan Kastriot Selmani dhe Behar Maliqi, i cili i barazoi shifrat në minutat e kohës shtesë.
Prishtina ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion dhe atë si mysafire në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë në duel me Trepçën’89, me rezultat 1:0.
Golin e tri pikëve të rëndësishme për “bardhekaltërit” nga kryeqendra kosovare e realizoi Ahmed Januzi, në minutën e 59-të.
Fitore me shije shumë të ëmbël ka realizuar Gjilani, që në terren vendas mundi Ballkanin e Ismet Munishit me rezultatin minimal 1:0. Golin e fitores për ekipin gjilanas e realizoi Gerhard Progni me të filluar pjesa e dytë, ndërsa falë kësaj fitore, Gjilani mban vendin e parë në renditje me 12 pikë.
Menjëherë pas tyre me 10 pikë renditet Drita e Ardian Nuhiut, për të vijuar më pas Ballkani dhe Llapi me nga 8 pikë.
Nesër në program janë edhe 3 ndeshje të tjera, ku Flamurtari i Artim Shaqirit do të përballet si mysafir me Feronikelin, Vushtrria do të luaj me Drenicën, ndërkohë Dukagjini i Xhengiz Rexhepit do të përballet me Ferizajin e Bekim Isufit.