Natë e kobshme për dy gjigandët anglez, Barcelona kthehet e pamposhtur nga Gjermania

Nata e sotme ka rezultuar e kobshme për dy skuadrat kampione në Europë të Anglisë, Liverpull dhe Çelzi, që edicionin e kaluar arritën që të triumfojnë në të dyja kompeticionet më të rëndësishme europiane, Ligën e Kampionëve, gjegjësisht, Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.

Liverpulli i Jurgen Klop u mund në udhëtim te Napoli, aty ku debutimin e tij në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kishte edhe futbollisti shkupjan, Elif Elmaz. 2:0 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi për skuadrën “napolitane”, me të dy golat që u shënuan në minutat e fundit të takimit.

Ishte Mertens, ai i cili në minutën e 82-të shënoi nga penaltia, teksa spanjolli Ljorente në minutën e 92-të shënoi edhe golin e nokdaunit për kampionët në fuqi të Europës.

Frank Lampard kishte një debutim negativ me Çelzin në Ligën e Kampionëve, teksa “blutë” e Londrës u mundën në “Stemford Brixh”  nga Valencia me rezultatin minimal 1:0.

Dortmundi dhe Barcelona barazuan pa gola në grupin “F”, ku duhet theksuar se gjermanët në minutën e 57-të humbën një penalti, të cilën në gol nuk arriti ta shndërrojë Marko Reush.

Salzburgu regjistroi fitoren më të thellë të mbrëmjes, duke mundur 6:2 Genkun, Ajaksi ishte superiore ndaj francezëve të Lil, duke shënuar fitore 3:0, ndërkohë Lajpcigu vazhdoi me paraqitjet e mira edhe në Europë, teksa sonte si mysafir mundi Benfikën (1:2) në kuadër të grupit “G”.

Leave a Reply