Nuk garon më në “Ultimate Fighting Championship” që prej nëntorit të vitit 2018-të, kur humbi përballë Khabib Nurmagomedov, por Connor McGregor ka njoftuar sot se është gati të kthehet në ring, madje duke zbuluar edhe datën dhe vendin e ndeshjes së radhës.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, McGregor ka shkruar “Dublin, 14 Dhjetor”, por ka ngurruar të zbulojë kundërshtarin.
Megjithatë mediat britanike pretendojnë se përballë irlandezit do të zbresë Gaethje, i cili ka shprehur më herët dëshirën për një përballje të tillë.
Connor McGregor i ka lëshuar sfidën sërish edhe Nurmagomedov, madje këtë herë për një ndeshje në Moskë, por superpërballja mes tyre duket se është shtyrë për vitin 2020, pasi Khabib sapo ka kaluar një përballje të rëndësishme pak ditë më parë me Poire.