Arena Kombëtare po merr formë, ja sa do të jetë numri i ulëseve

Shqipëria do të ketë një stadium të kategorisë së katërt, referuar standardeve të UEFA-s, të cilit i mungon vetëm kriteri i kapacitetit (mbi 35 000) për të pasur kategorinë maksimale, atë të pestë.

E teksa kjo mangësi ka qenë e projektuar që në start, përgjatë punimeve, zbatimi i projektit duket se ka pësuar ndryshime.

Fillimisht, u tha dhe u deklarua se do të jetë një stadium që do të ketë një kapacitet prej 22 000 vendesh të pranishme, por së fundmi diçka e tillë është reduktuar.

ZVOGËLIMI

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se bëhet fjalë për një kapacitet afro 21 777 që do të ketë impianti në momentin që do të përfundojë ndërtimin. Një ulje e cila zyrtarisht deri më tani është shpjeguar me rritjen e hapësirave mes stolave dhe që në projekt ka sjellë reduktimin e 223 vendeve.

Impianti është modern dhe shumë gjigand për një vend si Shqipëria, teksa është i pari që do të jetë me dy kate dhe në formën e një teatri. Së fundmi, janë provuar edhe dritat dhe sistemi i ndriçimit do të jetë i formës “LED”, bashkëkohor dhe modern, ndryshe nga stadiumet tradicionale me 4 kulla ndriçimi në skaje.

INAUGURIMI

Është premtuar si nga FSHF, ashtu edhe nga kreu i qeverisë, Edi Rama, se stadiumi do të inaugurohet në ndeshjen e fundit që Shqipëria do të luajë gjatë këtyre kualifikueseve, kundër Francës. Kryeministri Rama ka bërë me dije se impianti do të jetë gati për sfidën ndaj kampionëve të botës.

Leave a Reply