Shkëndija-Rabotniçki 3:0, kënaquni me momentet më të bukura dhe golat e shënuar (VIDEO)

Shkëndija me Erhan Selimin në pankinë arriti që të marrë fitoren e parë në sezonin e ri 2019/2020 në elitën e futbollit vendor. “Kuqezinjtë” në ndeshjen e javës së 5-të si nikoqir mundën ekipin e Rabotniçkit me shifrat 3:0, ndërsa fitoren e kampionëve në fuqi e paralajmëroi Stenio Zhunior me golin e realizuar në minutën e 19-të.

Pas këtij goli Rabotniçki u mundua të përgjigjet duke tentuar të ushtrojë presion, mirëpo u përball me një Shkëndijë mirë të organizuar në defanzivë dhe për minuta të tërë munguan shanset para portave respektive.

Qetësia do të prishej në minutën e 37-të kur pas një aksioni nga krahu i majtë, Gledi Mici pason brenda zonës për Alimin, i cili krijon pozitë dhe me një të djathtë të fortë shënoi një gol mjaft të bukur për dyfishim të rezultatit.

Me këto dy gola u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë tentativën e parë për të shënuar në rrjetën e skuadrës shkupjane e pati Arbin Zejnullai, bomba e të cilit për fat të keq nuk gjeti kuadrantin.

Shkëndija vazhdoi të kontrollojë ngjarjet në fushë dhe kishte disa mundësi për të sjellë golin e tretë, mirëpo Alimi në dy raste dhe Shefiti një herë nuk arrijnë të realizojnë. Tetë minuta para fundit aksion të bukur zhvillojnë Junior dhe Totre, asisti i brazilianit devijohet dhe pastrohet në moment të fundit nga Shishkovski, ndërsa në vazhdim Radeski gjuan në trup të portierit mysafir.

Gjithsesi “kuqezinjtë” do të shënonin golin e tretë në minutën e 90-të, kur Besart Ibraimi ktheu topin në zonë për Totren, i cili me një goditje precize shënoi për rezultat përfundimtarë Shkëndija 3, Rabotniçki 0.

 

Leave a Reply