FC Shkupi të shtunën në Çair do të mirëpret Sileksin në ndeshjen e vlefshme të javës së 5-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Pas katër xhirove të luajtura në sezonin e ri, ‘bardheblutë’ regjistrojnë një fitore, dy barazime dhe një humbje.
Ekipi në dy javët e fundit ka pësuar shumë ndryshime, ku me largimin e teknikut Umit Karan, drejtuesit emëruan për trajner Bulent Akinin nga Turqia, me këtë të fundit që ka sjell një frymë të re në skuadër dhe shumë atmosferë pozitive.
Në kohë pauze të kampionatit, Akin kishte mundësi të njoftohet me rrethanat në skuadër dhe me futbollistët, ndërsa ka pasur mundësi të provojë të gjithë të përzgjedhurit e tij në dy ndeshjet kontrolluese ndaj KF Besës dhe Al Bataeh, ku në të dyja ndeshjet FC Shkupi triumfoi.
Ndërkohë, lidhur me takimin e së shtunës kundër skuadrës së Sileksit, për faqen zyrtare të klubit nga Çairi ka folur mbrojtësi i krahut të djathtë, Filip Stojanovski.
“Presim që të jetë ndeshje e vështirë, ne do të kërkojmë tri pikë. Kishim në dispozicion dy javë për tu përgatitur për këtë ndeshje, luajtëm edhe dy takime kontrolluese dhe mendojë që edhe përkrah asaj që do të jetë e vështirë, ne do të bëjmë gjithçka për t’i gëzuar tifozët tanë, do të japim maksimumin dhe të shohim se si do të përfundojë”, tha për kanalin zyrtar të klubit, Filip Stojanovski.
Takimi FC Shkupi-KF Sileksi do të luhet të shtunën (14.09.2019) në stadiumin e Çairit, duke nisur nga ora 15:30.