Përfaqësuesja e Kosovës mund të ketë edhe prurje tjera të mëdha nga shtetet evropiane pas sukseseve të fundit që po i arrinë kjo skuadër.
Kosova ka mbushur vetëm katër vite prej kohës kur u pranua me të drejta të plota në organet më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA, megjithatë, sukseset e “Dardanëve” pritet të vijnë më shpejt se sa që është menduar dhe ëndërruar.
Pas sukseseve në Ligën e Kombeve, ku Kosova përfundoi e para në Grupin e vet në Ligën “D”, tani po korr rezultate të mira edhe në eliminatoret për Kampionatin Europian 2020.
Kosova ka 8 pikë në Grupin “A”, ndërsa para tyre renditet Anglia me 12 pikë dhe Çekia me 9 pikë. Pikërisht me këta të fundit pritet që “Dardanët” të diskutojnë çështjen e kualifikimit për në Euro 2020.
Sukseset e fundit të Kosovës kanë bërë që tashmë shumë lojtarë të ndërrojnë mendje duke pranuar të luajnë për Dardanët sikurse Florent Hadergjonaj, Ibrahim Dresheviç dhe Florent Muslija.
Por, karvani i bashkimeve kualitative nuk pritet të përfundojë këtu, pasi shumë lojtarë nga Zvicra dhe Gjermania pritet ta zgjedhin Kosovën.
Florian Kamberi (Hibernian), Kemal Ademi (Bazel), Bastien Toma (Sion), Toni Domgjoni (Cyrih) dhe Andi Zeqiri (Lozana) pritet ta zgjedhin Kosovën, sidomos pas mosmirënjohjes së Zvicrës për Valon Behramin. Edhe lojtarë tjera kualitativ si Elvis Rexhbeçaj (Volfsburg), Meritan Shabani (Vulverhempton) dhe Leon Dajaku (Bajern Munih) mund ta zgjedhin Kosovën para Gjermanisë.