Anglia ka shënuar fitoren e katërt nga po aq ndeshje të zhvilluara në kuadër të grupit “A” eliminatorë për “Euro 2020”, me ç’rast thuajse e ka siguruar që tani kualifikimin për në Europianin e ardhshëm.
Pasi ditë më parë “Albioni Krenar” mundi Bullgarinë me rezultatin e pastërt 4:0, sonte të besuarit e trajnerit Garet Sautgejt shënuan fitore 5:3 ndaj Kosovës, shkruan “infOSport.mk”.
Ndeshja në “Sente Meri” nuk filloi mirë për anglezët, të cilët pranuan gol vetëm pas 35 sekondave lojë pas një gabimi trashanik në mbrojtje, të cilin në maksimum e shfrytëzoi Valon Berisha.
“Tre Luanët” u kundërpërgjigjën shumë shpejtë dhe pjesën e parë e mbyllën me rezultatin 5:1, pas golave të shënuar nga Rahim Sterling (8′), Hari Kejn (19′), autogoli i Mërgim Vojvodës (38′) dhe dy golat debutues të Xhejdon Sanço (44′, 45′).
Në pjesën e dytë Kosova u ringjalë sërish, duke shënuar dy gola të shpejtë në harkun e 6 minutave. Fillimisht Valon Berisha në minutën e 49-të shënoi edhe golin e dytë personal, që ishte një kryevepër e tij, teksa në minutën e 55-të Vedat Muriqi nga penaltia shënoi edhe golin e tretë për Kosovën.
10 minuta më vonë Hari Kejn kishte rastin të shënojë edhe golin e dytë personal dhe të 6-tin për Anglinë, mirëpo goditjen e tij nga pika e bardhë e ndali portieri Aro Muriç.
Anglia kryeson grupin “A” me 12 pikë maksimale, duke lënë pas Çekinë me 9 pikë, teksa Kosova me 8 pikë renditet në pozitën e tretë.