Goli i Valon Berishës pas 35 sekondave lojë si duket vetëm sa “nervozoi” anglezët, të cilët në vazhdim të ndeshjes arritën që të shënojnë plotë 5 gola në rrjetën e Aro Muriç, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “Dardane” nuk arrinte të gjente kundërpërgjigje për Rahim Sterling, i cili në minutën e 8-të shënoi golin e barazimit, ndërsa një asist i tij për Hari Kejn, bëri që sulmuesi i Totenhamit në minutën e 19-të të kalojë për herë të parë në këtë ndeshje në epërsi ekipin anglez.
GOLAT NGA NDESHJA ANGLI – KOSOVË, NDIQENI KËTU:
Goli i tretë i “Albionit Krenar” erdhi në minutën e 38-të. Fidan Aliti ishte i shtrirë në fushë dhe kërkonte ndihmë, ndërsa anglezët nuk u treguan korrekt, duke vazhduar me lojën, e ku si pasojë Mërgim Vojvoda realizoi në rrjetën e gabuar.
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i agonisë në mbrojtjen e Kosovës, që ishte pika më e dobët, pasi Sanço në minutën e 44-të shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e Muriç, i cili kapituloi edhe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, kur Sterling edhe njëherë tjetër si një rrufejë kaloi nga e majta mbrojtësin Amir Rahmani, për të asistuar për Sançon, i cili në ato momente shënoi edhe golin e 5-të për Anglinë.