Kosova ka shënuar një ndër fitoret më të rëndësishme ndoshta në kuadër të grupit “A” eliminatorë për Europianin e vitit 2020, teksa sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë mundi Çekinë me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.
“Dardanët” edhe njëherë tjetër treguan cilësi të larta, ndërsa fitorja e sotme ka shumë vlera, kjo për shkak se arritën që të përmbysin çekët, që avansuan të parët falë golit të Patrik Shik në minutën e 16-të.
Mirëpo gëzimi i mysafirëve nuk zgjati edhe shumë, pasi vetëm 4 minuta më vonë, sulmuesi shtatëlartë i Fenerbahçes, Vedat Muriqi, duke shfrytëzuar pasimin e Elbasan Rashanit, arriti që të barazojë rezultatin në 1:1.
Me këto shifra u mbyll pjesa e parë, ndërkohë në pjesën e dytë futbollistët e Kosovës të përkrahur në maksimum edhe nga publiku fantastik në minutën e 67-të me anë të mbrojtësit Mërgim Vojvoda arritën të shënojnë edhe golin e dytë. Ishte kjo një skemë perfekte e “dardanëve”, teksa Valon Berisha nga rivënia e këndit për tokë pasoi brenda zonës për Vojvodën, i cili me të majtën e tij edhe për herë të dytë arriti që të mposhtë portierin kundërshtarë, Vaçlik.
Me këtë fitore Kosova heroike tashmë kryeson grupin “A” me 8 pikë, duke lënë pas vetes kombëtaret e fuqishme europiane, si Anglinë dhe Çekinë që kanë nga 6 pikë.