Mërgim Vojvoda është paraqitur në konferencën për shtyp të Përfaqësueses së Kosovës në prag të duelit me Republikën Çeke që zhvillohet më 7 shtator.
Mbrojtësi i krahut të djathtë është shprehur optimist para kësaj sfide, teksa ka deklaruar se “Dardanët” do të japin maksimumin pavarësisht mungesave që kanë në skuadër.
“Kemi shumë mungesa në skuadër, por konkurenca është e shëndoshë. Ne do të japim maksimumin. Për çdo ndeshje ne do të futemi për tre pikë. Edhe në këtë takim ne futemi për tre pikë. Nuk kalkukojmë në asnjë takim, sidomos kur luajmë përpara tifozëve tanë në Fadil Vokrri”, – ka deklaruar fillimisht Mërgim Vojvoda.
Më pas ai u pyet edhe për forcën e Çekisë, e cila dallon shumë nga kombëtaret e mëhershme me të cilat është ndeshur Kosova.
“Çekia është tjetër nivel për dallim nga kundërshtarët që kemi luajtur më parë. Por, ne kemi punuar mjaft mirë dhe kemi marrë masat për këtë ndeshje dhe shpresoj se gjithçka do të shkojë mirë”, – theksoi anësori i Standard Liezh.
Kosova nga ora 15:00 zhvilloi edhe seancën e fundit stërvitore në prag të duelit të së shtunës, që zhvillohet në të njëjtën kohë.