Skuadra e Prishtinës ka shkarkuar strategun shqiptarë, Mirel Josa, pasi ky i fundit nuk e nis aspak mirë edicionin e ri në elitën e futbollit kosovar. Nga dy ndeshje sa zhvilloi skuadra “bardhekaltër” nga kryeqendra kosovare, morri vetëm një pikë, edhe atë në barazimin 1:1 ndaj Flamurtarit të Artim Shaqirit, teksa humbi në ndeshjen e xhiros së tretë kundër Feronikelit (0:1) në Drenas.
Kësisoj Mirel Josa largohet nga Prishtina pas dy sezoneve, ku nuk arriti që të shpallej kampion, edhe pse gjithnjë ishte shumë afër, madje në të dyja raste humbi titullin në ndeshjen e fundit kampionale.
Vlen të theksohet se edhe tifozët e Prishtinës, “Plisat”, ishin shumë të zhurmshëm ndaj tij, duke kërkuar vazhdimisht shkarkimin e tij.
“Plisat” ishin të pranishëm në ndeshjen ndaj Feronikelit në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, por qëndruan vetëm dy minuta në stadium. Ata dhanë mesazhin për Josën, që ishte largimi i tij dhe lëshuan stadiumin.