Javën që lamë pas, Shkëndija dhe Qatip Osmani ndanë rrugët profesionale, pas rezultateve të dobëta të kampionëve në fuqi në këtë fillim sezoni. Tekniku tetovar sot ka falenderuar të gjithë në skuadrën e Shkëndijës, tifozët dhe të gjithë mbështetësit dhe gjithashtu familjen Destani.
‘Sukseset dhe dështimet janë pjesë e jetës dhe sporti nuk është përjashtim. Një fund kanë edhe ëndërat më të bukura dhe e tillë mund të quhet edhe kjo periudhë tjetër e imja me KF Shkëndija. Në fakt, ky klub gjithmonë më ka dhënë suksese dhe kënaqësi, qoftë si lojtar apo tashmë në dy raste edhe si trajner. Pas sukseseve të vitit 2011, isha me fat që sërish drejtova skuadrën në momente historike si fitimi i dy titujve kampion, 1 trofe të Kupës dhe dy pjesëmarrje në play off të UEFA Europa League. Si gjithçka tjetër në jetë, fatkeqësisht edhe serisë tonë i erdhi fundi dhe pas humbjeve të fundit është normale që i pari që jep llogari është trajneri. Unë largohem, por shkoj plot me krenari, mburje e mirënjohje. Me këtë rast dua të përcjell një falemenderim të madh për tifozët e Shkëndijës në përgjithësi dhe “Ballistët” në veçanti për mbështetjen e parezervë. Falemenderim për gjithë ata me të cilët bashkëpunuam këto vite, lojtarët, stafin teknik, ekipin mjekësorë, magazinierët, administratën, kryesinë dhe në veçanti pronarët e klubit në krye me familjen Destani të cilët nuk kursyen asgjë që ne të kemi kushtet më të mira për punë. Jam i bindur se Shkëndija sërish do të kthehet aty ku e ka vendin dhe unë i uroj klubit shumë suksese në të ardhmen. Me respekt, Qatip Osmani”, shkruhej në komunikatën e Qatos.