Renova bënë një goditje të fuqishme në merkato, nënshkruan me mbrojtësin Sadiki

Renova gjatë ditës së sotme ka prezantuar qendërmbrojtësin e talentuar kumanovar, Nehar Sadiki, njofton “infOSport.mk”.

Ky i fundit edhe pjesën e dytë të sezonit të kaluar e kaloi te Renova, te e cila skuadër vendosi të rikthehet sërish, edhe pse kishte opcione edhe për jashtë vendit. Kësisoj me Sadikin në qendër të mbrojtjes trajneri Bujar Islami do të përfitojë në cilësi, ndërsa me siguri se kualitetet e 21-vjeçarit do të ndihmojnë skuadrën nga Xhepçishti në realizimin e objektivave për këtë edicion.

Sadiki edicionin e fundit me Renovën zhvilloi 9 ndeshje, duke shënuar edhe 1 gol, ndërsa vlen të theksohet se në Ligën e Parë Futbollistike të vendit, kumanovari numëron gjithsej 50 ndeshje dhe 4 gola të shënuar, 3 prej të cilëve i ka shënuar me Rabotniçkin në 41 takime të zhvilluara.

Rikujtojmë Renova pas dy xhirove të para të sezonit të ri 2019/2020 udhëheq renditjen tabelare e vetmuar me 6 pikë, pas fitoreve minimale ndaj Sileksit (1:0) dhe Struga Trim Lum.

Ndeshjen e rradhës, atë të javës së tretë “gjipspunuesit” do ta zhvillojnë në Shkup kundër FC Shkupit të dielën me fillim në ora 17:00.

Leave a Reply