Sot në futbollin vendor në program ishin dy ndeshjet e para të 1/16 së finales, ku Tikveshi dhe Pelisteri iu gëzuan kualifikimit për në fazën tjetër, njofton “infOSport.mk”.
Tikveshi eliminoi Lubotenin, ndaj së cilës skuadër në Kavadar shënoi fitore 5:1. Edhe pse skuadra nga Tetova figuronte në rolin e nikoqirit në këtë përballje, ndeshja në fjalë u zhvillua në stadiumin e Tikveshit, skuadër kjo që në maksimum e shfrytëzoi një gjë të tillë dhe në fund u kualifikua në mesin e 16 skuadrave më të mirë në vend.
Marjan Ristovski shënoi dy gola, ndërsa nga një gol për skuadrën e trajnerit Dimitkovski shënuan edhe Lazar Peev, Andrej Lazarov dhe Robert Mitev.
Golashënues i vetëm për skuadrën e Lubotenit në këtë ndeshje ishte Robert Dimitrieski.
Pelisteri një vend për në 1/8 e finales siguroi vetëm pas ekzekutimit të penaltive, pasi në kohën e rregullt skuadra nga Manastiri barazoi 1:1 përballë Kit Go. Këta të fundit ishin shumë afër kualifikimit për në mesin e 16 skuadrave më të mira në Kupë, mirëpo një gol i shënuar nga Momirovski në minutën e 91-të iu prishi planet atyre, pasi Pelisteri barazoi shifrat dhe bëri që ruleti i penaltive të vendos udhëtuesin për më tej.
Ndryshe Kit Go me anë të Simevskit kishte kaluar në epërsi në këtë ndeshje, që në fund u mbyll me rezultatin e përgjithshëm 6:5 (5:4 penalti).
Rikujtojmë gjatë ditës së djeshme Bregallnica turpëroi ekipin e Crnilishtes, duke e mundur me rezultatin 22:0.