Artim Pollozhani nuk dorëzohet dhe vazhdon të jetë aktiv në futbollin e luajtur edhe në moshën 37-vjeçare. Strugani gjatë ditës së hënë ka dalë në stërvitje me Skënderbeun, aty ku gjen ish-trajnerin Ilir Daja, me të cilin kishte qenë së fundmi bashkë te Flamurtari.
Pak ditë më parë, Pollozhani la futbollin, e madje iu besua edhe roli i drejtorit sportiv pikërisht te skuadra e tij e fundit, Flamurtari, aty ku kishte luajtur me sukses në dy vitet e fundit duke qenë edhe një nga të besuarit e presidentit Sinan Idrizi. Por, nuk qëndroi më shumë se 5 ditë sepse u largua nga Vlora pas mosmarrëveshjeve me vetë Idrizin.
Ndryshe Skënderbeu do të jetë skuadra e tretë në karrierën e tij nga Shqipëria, pasi përveç me Flamurtarin, ai gjatë vitit 2008 kishte luajtur edhe me Dinamo Tiranën.
Artim Pollozhani në Superligën shqiptare numëron 62 ndeshje zyrtare dhe 1 gol të shënuar.