“Një komb, një Kombëtare, një ligë shqiptare”, kjo ka qënë dëshira e hershme e tifozëve kuqezinjë dhe që është shpalosur në stadiume sa herë që luan Shqipëria. Kërkesa e fundit është gjithmonë e më afër, pasi është duke u ideuar edhe zbatimi i një Kupe të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Të paktën sipas fjalëve të sekretarit të përgjithshëm në FFK, Eroll Salihu, që shprehet se në vitin e ardhshëm do të kemi kënaqësinë për të parë bashkimin e shqiptarëve në futboll.
Sipas asaj që raporton “Gazeta Express”, Salihu ka thënë se për këtë Kupë do të ketë edhe shpërblime të mira financiare, nisur edhe nga ndërhyrja që do të vijë nga sponsorat dhe qeveritë.
“Ne kemi biseduar me Federatën Shqiptare të Futbollit, me Dukën dhe Ademin. Besoj se vitin e ardhshëm do të fusim risi, nëse ndodh kjo që ekipet e Superkupës të lujnë ndërmjet vete me Federatën Shqiptare.Madje jemi duke e shqyrtuar mundësinë që të luajmë me një sistem të Kupës së përbashkët në Federatën Shqiptare të Futbollit. Prandaj, mendoj se ka ardhur koha që të bëjmë diçka në bashkimin e futbollit shqiptar. Do të kemi sponsorë të ndryshëm, do të hynin edhe qeveritë së bashku. E kemi diskutuar, do të ketë benefit material”, – ka thënë Salihu.