Shkëndija e Tetovës ishte në qendër të vëmendjes ditëve të fundit jo për çështje të mira që ishim të mësuar ta shohim tre vitet e fundit, por për probleme, zënka, idhnime, fajtor e largime. Në qendër të sulmeve ishte trajneri i kuqezinjëve Qatip Osmani, por edhe kryesia e klubit tetovar.
Ditëve të fundit flitej se Osmani do të largohet nga Shkëndija dhe në vend të tij do të vjen Bylbyl Sokoli. Mirëpo nga ajo që arrin të mësoj “InfOSport.mk”, nga kryesia e Shkëndijës është marrë vendim që askush nuk do të lëviz dhe Qatip Osmani do të vazhdojë të mbetet shef i stafit teknik te kampionët në fuqi.
Nga informacionet e portalit tonë, nuk do të ketë ndarje as mes futbollistëve, ndërsa të njejtit udhëheqës do të vazhdojnë të udhëheqin klubin edhe në vijim me në krye, presidentin Visar Bexheti.
Kujtojmë që tetovarët dështuan në planin e tyre për kualifikim në grupe të Europës këtë verë, duke u eliminuar që në raundin e dytë të Liga Europës, ndërsa e nisin edhe keq sezonin e ri në kampionatin vendor, duke u mundur nga Akademia Pandevi me rezultat 1:0./InfOSport.mk