Sonte në mbrëmje, në Munih starton edicioni i ri i Bundesligës dhe si zakonisht privilegjin për të hapur kampionatin e kanë pikërisht rekordmenët e Bajernit të Munihut, që do të mirëpresin Hertën e Berlinit në “Alianc Arena”, ndeshje kjo që starton në ora 20:30.
Pavarësisht ndryshimeve dhe përforcimeve që kanë bërë deri diku skuadrat e tjera rivale, përsëri Bajerni mbetet ekipi për t’u mundur. Diçka lehtësisht e kuptueshme, duke patur parasysh që klubi bavarez ka fituar radhazi në Bundesliga 7 kampionatet e fundit, madje edhe vetë kuotimet e “bookmakers-ave” krijojnë një ide më të qartë, pasi “bavarezët” paguhen thjesht me koeficientin modest 1.33 për të koleksionuar sërish trofeun e më të mirit në Gjermani, ndërsa “verdhezinjtë” e Borusia Dortmundit ndjekin nga shumë prapa me koeficientin 5.
Shpresat për një lloj ndryshimi në hegjemoninë e futbollit gjerman janë rritur ndjeshëm, pasi edicioni i kaluar i Bundesligës ishte shumë i rivalizuar dhe në fund Bajerni i’a doli mbanë për të mbrojtur me sukses titullin, për vetëm 2 pikë më tepër sesa skuadra e Dortmundit, krejt ndryshe nga ç’ndodhi, për shembull, në sezonin 2017-18, kur klubi bavarez siguroi trofeun më të rëndësishëm në vend me plot 21 pikë më shumë sesa Shalke, që u pozicionua në vendin e dytë.
Dy klubet më të rëndësishëm në Gjermani kanë mbajtur në drejtim po të njëjtët trajnerë dhe dueli i 3 gushtit tregoi qartë se diferencat ndërmjet tyre janë ngushtuar akoma më shumë, teksa “verdhezinjtë” fituan pas pesë vjetësh “Superkupën” e Gjermanisë, me po të njëjtat shifra si edhe në vitin 2014, 2:0.
Asokohe për Borusian e Dortmundit shënuan emra si Mkhitaryan dhe Obamejang, ndërsa këtë herë stafeta ka kaluar te futbollistë të tillë si Pako Alkaser dhe Jadon Sanço.
Pavarësisht presionit të madh që mbart në vetvete klubi më i lavdishëm gjerman, trajneri kroat Niko Kovaç ia doli mbanë për t’i fituar që të tre trofetë, ndërsa Lusien Favre në krahun tjetër me idetë e tij ka ndikuar vërtet shumë në ringritjen e “verdhezinjve”, megjithëse për hir të së vërtetës edicionin e kaluar Dortmundi u shpall kampion i dimrit dhe shpërdoroi plot 9 pikë avantazh që kishte kundrejt Bajernit.
Pas mbylljes së ciklit të dyshes Roben – Riberyi dhe largimit të futbollistëve Hummels, James Rodriguez e Rafinha, trajneri Niko Kovac ka përforcuar ekipin me emra të tillë si Pavard, Lukas Hernandez, Arp dhe Perishiç, ndërkaq te Dortmundi janë larguar Shurle, Pulishiç, Maksimilian Filip apo dhe Omer Toprak, por gjithsesi janë afruar lojtarë cilësorë si Julian Brandt, Thorgan Hazard dhe Niko Shulz, pa harruar këtu edhe rikthimin e veteranit, Mats Humels.
7 skuadra e fillojnë sezonin me trajnerë të rinj. Kështu Julian Nagelsmann do të drejtojë Lajpcigun, ndërsa vendin e tij te Hofenhajmi e ka zënë holandezi Alfred Shrojder.
Timoni te Volfsburgu i është besuar austriakut Oliver Glasner, ndërsa Herta e Berlinit do të drejtohet nga kroati Ante Çoviç.
Gladbahu do të udhëhiqet nga Marko Rose, ndërsa Shalke nga David Vagner, ndërkaq Këllni i është besuar trajnerit Achim Beierlorzer, sidoqoftë Këlni dhe Paderborni u rikthyen sërish në Bundesligë, ndërsa për herë të parë në elitën e futbollit gjerman është ngjitur skuadra eUnion Berlin, nga pjesa lindore e Berlinit, që përpara 13 vjetësh luante në Kategorinë e Katërt të këtij vendi dhe për t’u katapultuar në Bundesligën e Parë “të hekurtit” e kryeqytetit eliminuan në “play off” as më pak e as më shumë vetë Shtutgartin, klub që numëron plot 5 tituj kampionë në historinë e futbollit gjerman.
Sezonin e kaluar, përveçse finalist në “DFB Pokal”, klubi nga Saksonia nën drejtimin e Ralf Rangnick u rendit, i treti i shkëputur nga pjesa tjetër, ndërkaq pas Lajpcigut në klasifikim u pozicionuan me radhë ekipe si Leverkusen, Menhengladbah, Volfsburg dhe Ajntraht Frankfurt, praktikisht katër skuadra që u ndanë nga vetëm katër pikë gjithsej, ndërsa Verderi humbi Evropën për thjesht 1 pikë të vetme.
Për të krijuar një ide më të qartë për diferencat e mëdha, parashikimet paraprake japin sërish Lajpcigu në vendin e tretë me koeficient 34, ndërsa 67 kuotohet për titullin Bajer Leverkusenit, ndërkaq rivaliteti për Europën, përveç kësaj katërsheje, pritet të përqëndrohet te skuadra si Gladbah, Volfsburg, Ajntraht, Verder, Shalke.
Klubi nga Frankfurti ka përfituar plot 100 milionë euro vetëm nga shitja e dyshes së sulmit Luka Joviç – Sebastien Haller, ndërkaq e ka kaluar këtë shifër gjithashtu edhe klubi i Hofenhajmit, të cilit i janë larguar emra të tillë si Joelinton, Demirbay dhe Niko Shulz.
Në fund pritet të rrezikojnë katër skuadra për të rrëshqitur në Bundesligën e Dytë si Paderborn, Union Berlin, Augsburg dhe Këlln.
Edicioni i 57-të i Bundesligës fillon pra më 16 gusht dhe do të mbyllet 16 majin e vitit të ardhshëm, ndërkaq në ndryshim nga sezonet e tjera drejtuesit kanë rënë dakord për të rritur numrin e lojtarëve zëvendësues në stol, nga 7 që ishte në 9.