Një lajm i trishtë ka tronditur ditën e sotme botën e futbollit duke qenë se 20-vjeçari, Joel Darlington i ka dhënë fund jetës së tij.
Futbollisti 20-vjeçar që shihej si një nga futbollistët me më shumë perspektivë në Angli, u mor pak kohë më parë nga Mançester Junajtedi, por një dëmtim në krah e detyroi të largohej dhe të merrte një pushim të gjatë për riaftësimin e tij.
Dëmtimet e shumta që pësoi në fillimet e karrierës, e kanë shtyrë 20-vjeçarin që të marrë këtë vendim fatal për jetën e tij.
Darlington ishte së fundmi pjesë e skuadrës së Bejl Taun në kampionatin uellsian dhe dukej se me skuadrën e re do të kishte mundësi të arrinte edhe njëherë formën më të mirë për të kapur majat.
Trupi i futbollistit është gjetur në garazhin e shtëpisë dhe ka qenë e ëma e tij, ajo që ka parë se dera e garazhit ishte e mbyllur me çelës. Ajo ka thirrur djalin tjetër i cili ka arritur të hapë derën dhe brenda në garazh, ka gjetur vëllanë e tij të vdekur. (vipsport.al)