Ish futbollisti i Pelisterit, Lukas Fereira Kardoso, aktualisht pjesë e Partizanit të Tiranës, me shumë gjasa sezoni i ri futbollistik do ta gjejë me skuadër të re, shkruan “infOSport.mk”.
Informacionet që vijnë nga dy shtetet fqinje, Shqipëri dhe Kosovë, flasin për një transferim të brazilianit te Drita e Gjilanit, skuadër kjo që drejtohet nga strategu , shkupjan, Ardian Nuhiu.
Ky i fundit njeh mirë kualitetet e brazilianit 25-vjeçar, i cili te Partizani, si duket nuk gjeti veten, kjo edhe për shkak dëmtimeve që e përcollën te skuadra kampione e Shqipërisë.
Sezonin e fundit Kardoso me fanellën e Partizanit në Superligë zhvilloi vetëm 12 ndeshje, mirëpo duke mos realizuar asnjë gol dhe asnjë asistim në 358 minuta sa kishte luajtur.
Ndryshe Partizanit ai iu bashkua janarin e vitit 2018-të, duke regjistruar gjithsej 25 ndeshje dhe 3 gola të shënuar, shumë pak për një futbollistë që u transferua me shumë bujë te skuadra nga kryeqendra shqiptare nga rradhët e Pelisterit, aty ku tregoi shumë potencial dhe cilësi, ndërsa më së miri flasin edhe statistikat.
Lukas Fereira Kardoso në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë me fanellën e skuadrës nga Manastiri regjistroi 44 ndeshje dhe 17 gola të shënuar, ndërsa vitin 2017-të ai ndihmoi Pelilsterin për të ngritur lartë trofeun e Kupës, pasi në finalen e madhe mundën Shkëndijën pas ekzekutimit të penaltive, transmeton “infOSport.mk”.
Mbetet të shihet nëse Lukas Kardozo te Drita do të arrijë si transferim i plotë, apo në huazim, duke pasur parasysh se ka kontratë profesionale me Partizanin, me të cilën skuadër sezonin që lamë pas u shpall kampion.