Shkupjani, Armend Çajani karrierën e tij do ta vazhdojë në Superligën shqiptare, te skuadra e Kukësit. “infOSport.mk” mëson se Çajani me nënkampionët e Shqipërisë ka firmosur kontratë dy vjeçare, duke u bërë kështu futbollisti i katërt nga Maqedonia që do ti bashkohet skuadrës së Kukësit, pas Edis Maliqit, Valon Et’hemit dhe Ardijan Cuculit.
Çajani sezonin e fundit ishte pjesë e Genç Kalemler në Ligën e Dytë të Maqedonisë, mirëpo talenti i tij dhe mosha e re (21 vjeç), kanë bindur drejtuesit e Kukësit për ti ofruar atij kontratë profesionale.
Ndryshe Çajani karrierën e tij e kishte nisur te FC Shkupi që në moshën 6-vjeçare, ndërsa përveç me ekipin e Genç Kalemler, ai në sezonin 2017/2018 ishte pjesë e Vardar Forinës, te e cila skuadër edhe pse si mesfushor, kishte arritur të realizojë 10 gola.