FC Shkupi dhe Makedonija GJ.P gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar gjeneralen para fillimit të kampionatit të ri, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja e zhvilluar në Çair mes dy skuadrave shkupjane, që këtë edicion prezantuan vendin tonë në eliminatoret e Liga Europa, u mbyll me barazimin 2:2.
Ishte kjo një ndeshje me dy pjesë të ndryshme, ku në të parën dominuan mysafirët nga lagjja e Gjorçe Petrovit, që e mbylli në favorin e saj me rezultatin 2:0, falë golave të shënuar nga dy talentët shqiptarë, Sefer Emini dhe Arbi Vosa.
Emini shënoi vetëm pas dy minutave lojë, ndërkohë Arbi Vosa në minutën e 17-të realizoi edhe golin e dytë për Makedonija GJ.P.
Deri në fund të pjesës së parë regjistruam dy raste të mira për vendasit e FC Shkupit, me Ismailin dhe Dembon, por që rrjeta e kundërshtarëve mbeti e paprekur në 45 minutat e para.
“Bardhekaltërit” nga Çairi golin e parë në këtë ndeshje e gjetën në minutën e 56-të, kur Fatih Ismaili u ndal në mënyrë të palejurar në zonën e rreptësisë, ndërsa nga pika e bardhë i saktë dolit të jetë sulmuesi kroat, Jurina, i cili në ato momente ngushtoi shifrat në 1:2.
Në të 76-të rast ideal për të barazuar rezultatin pati edhe Sabit Bilali, por portieri mysafirëve doli më i suksesshëm, duke i mbrojtur dy gjuajtjet e ish bashkëlojtarit të tij.
Goli i barazimit erdhi pak minuta para fundit, me kapitenin Muharem Bajrami që realizoi nga gjuajtja e lirë për rezultat përfundimtar 2:2.
Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit kontrolluese për Shkupin ne këtë fazë, pasi më herët luajtëm me Gostivarin (0:1) dhe Prishtinën (0:0).
Rikujtojmë sezoni i ri në elitën e futbollit vendor starton të dielën e ardhshme (11 gusht), me FC Shkupin që do të mirëpret Borecin, ndërkohë Makedonija GJ.P do të përballet si mysafir me Vardarin.