D.C United ka shprehur interesim për transferimin e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës, Elbasan Rashani.
26-vjeçari i cili aktualisht luan për Odd BK në kampionatin norvegjez, ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar katër asistime në 15 ndeshje si startues në krahun e djathtë të sulmit për skuadrën, e cila renditet në vendin e tretë në renditjen tabelare, raporton “Telemarksavisa”.
Megjithatë nuk është vetëm skuadra amerikane e D.C United që ka shprehur interesim për Rashanin, pasi muajin e kaluar u raportua se edhe skuadra angleze e Fulham kishte shprehur dëshirën e saj që ta ketë në skuadër yllin e Kosovës, çmimi i të cilit llogaritet në 500 mijë sterlina.
Vitin e kaluar, Rashani kishte luajtur më shumë si sulmues i majtë, derisa në 27 paraqitje kishte shënuar 7 gola dhe kishte dhuruar 6 asistime.
Në përgjithësi, Rashani ka bërë 138 paraqitje për Odd, kurse më herët ka luajtur për Brondbyn dhe Rosenborg, shkruan Zëri.info.
Rashani në nivel ndërkombëtar ka përfaqësuar Norvegjinë në grupmoshat e reja, por në nivelin senior ai vendosi të luajë për Kosovën, me të cilën shënoi golin e fitores në ndeshjen dramatike ndaj Bullgarisë në Sofje në muajin qershor në kuadër të eliminatoreve të “Euro 2020”.
Derisa ka mbetur që edhe një javë të mbyllet afati kalimtar në kampionatin amerikan, mbetet të shihet nëse D.C United do ta kompletojë transferimin e Rashanit, i cili në këtë mënyrë do të kishte mundësinë të luante me legjendën e Mançester Junajtedit, Uejn Runi.