Shkëndija ka mision të vështirë, por jo të pamundur në transfertën me Dudelanzh të martën në Luksemburg. “Kuqezinjtë” nga Tetova kërkojnë përmbysje të negativës 1:2 nga ndeshja e parë në Shkup. Ata besojnë fuqishëm në një rezultat të volitshëm, që do të ju mundësonte atyre avansimin në raundin e tretë të eliminatoreve të Liga Europa.
“Pas ndeshjes së parë kemi analizuar takimin dhe konstatuam se ne humbëm shumë raste shënimi por thjesht fati nuk na deshti. Tash kemi sfidën e kthimit dhe asgjë nuk është e humbur. E kam thënë që pas ndeshjes së parë se Shkëndija do të kërkojë të anulojë negativën 1:2. Gjatë javës kemi punuar për të qenë në nivel për të fituar, ashtu që mendoj se jemi të vetëdijshëm edhe ne si staf teknik, por edhe lojtarët për rëndësinë e ndeshjes së nesërme” – tha trajneri Qatip Osmani në konferencën për shtyp të organizuar për gazetarë.
Ndeshja ndërmjet Dudelanzh dhe Shkëndijës në program është të martën (30 korrik) me fillim në ora 17:55.