Shkëndija të dielën ka udhëtuar drejt Luksemburgut për përballejn e ditës së martë kundër Dudelanzh. Ekspedita kuqezi tashmë është akomoduar në bazën dy ditore dhe fokusi maksimal drejtohet në përgatitjet përfundimtare para sfidës së kthimit të xhiros së dytë eliminatore të Liga Europa, në të cilën “kuqezinjtë” ndjekin negativën 1:2 nga ndeshja e parë.
“Jemi këtu në Luksemburg për të synuar të përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë dhe të kualifikohemi në xhiron e tretë të Europa League. Kemi dy ditë për akomodim, besojmë se jemi të aftë të përmbysim negativën dhe jam i sigurtë se secili lojtar që do të jetë në fushë do të japë më të mirën nga vetja për të realizuar atë që kërkon nga ne stafi teknik”, shprehet mbrojtësi i majtë, Gledi Mici.
Shkëndija gjatë ditës së sotme me fillim në ora 18:00 do të zhvillojë seancën stërvitore në “Stade Josy Barthel”, ndërsa paraprakisht nga ora 17:30 është paraparë konferenca për shtyp.
Ndeshja midis Dudelanzhit dhe Shkëndijës në program është të martën me fillim në orën 17:55.