Sarri dhe Hysaj sërish bashkë!

Mauricio Sarri dhe Elseid Hysaj mund të bashkohen sërish, kësaj rradhe te Juventusi, shkruan “infOSport.mk”. Informacionet e fundit që vijnë nga Italia thonë se në adresë të mbrojtësit të Kombëtares shqiptare do të vijë një ofertë nga ana e “Zonjës së Vjetër”, pasi një gjë të tillë ka kërkuar edhe trajneri Mauricio Sarri.

Emri i tij gjatë merkatos është lidhur me disa pista të mundshme, mes tyre edhe me Atletikon e Madridit, por nga dita në ditë, ka rënë çdo pistë e mundshme transferimi dhe shqiptari ka nisur fazën përgatitore nën drejtimin e Ançelotit, deri në momentin që agjenti do të sigurojë akordin dhe transferimin me një tjetër skuadër.

Nën drejtimin e Ançelotit, Hysaj humbi çdo ditë e më shumë në vitin e parë pozitat e titullarit, derisa vetë lojtari dhe agjenti i tij pranuan publikisht se kishte ardhur momenti për një “divorc” mes palësh.

Hysaj te Juventusi do të zinte vendin e Zhoao Kanselos, emri i të cilit përflitet me një transferim të mundshëm te Mançester  Siti. Megjithatë emri i Hysajt lidhet edhe me Romën, në të cilën pistë po punon menaxheri i tij.

Skuadra kryeqytetase ka shprehur interesin dhe ka një ofertë zyrtare të artikuluar, për të cilën Mario Xhufredi po negocion me drejtuesit napolitanë.

Mirëpo, në rast të një dëshire nga Juventus, nëse vetë trajneri Sarri do të shtyjë për realizimin e një afrimi të tillë, atëherë pa dyshim që Hysaj do të zgjidhte Torinon në vend të Romës.

Kjo, sigurisht për prestigjin, mundësinë për të luajtur përkrah yjeve si Kristiano Ronaldo, për të luajtur në Ligën e Kampionëve, por edhe për vetë lidhjen miqësore që ka me trajnerin Sarri.

Leave a Reply