Skuadra e Dukagjinit që sezonin e ri futbollistik do të garojë në elitën e futbollit kosovar tashmë gati dy javë në Ohër po zhvillon fazën kryesore të përgatitjeve, e ku nuk po mungojnë edhe ndeshjet kontrolluese, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra nga Klina e Kosovës gjatë ditës së sotme në qytetin e bukur të Ohrit luajti baraz pa gola ndaj Makedonija GJ.P, skuadrës së fundit finaliste të Kupës së Maqedonisë së Veriut, që këtë edicion prezantojë vendin tonë edhe në ndeshjet e Liga Europa.
Të besuarit e trajnerit Rexhepi, edhe sot ishin në nivel të detyrës, duke treguar cilësi dhe shumë disciplinë, tipare këto që njihen tashmë nga ana e strategut tetovar, që mund të jetë i kënaqur me gjithë atë që kanë treguar futbollistët e tij gjatë qëndrimit në Ohër.
Rikujtojmë Dukagjini në ndeshjen e parë të zhvilluar në Maqedoninë e Veriut mundi Dritën e Bogovinës (4:0), që më pastaj të vjen fitorja e madhe 1:0 ndaj Tiranës nga Superliga shqiptare.
Pasoi fitorja 6:0 ndaj Gostivarit të Ligës së Dytë, ndërsa para ndeshjes së sotme me Makedonija GJ.P, ata kishin mundur edhe ekipin e Ohrid me rezultatin 2:0.
Rikujtojmë pjesë e Dukagjinit në sezonin e ri futbollistik do të jetë edhe Altin Lloga, sulmuesi i ardhur nga rradhët e Struga Trim Lum.