Artim Shaqiri, një ndër futbollistët më të mirë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut të mërkurën në mbrëmje ishte pjesë e turneut të parë përkujtimor të organizuar nga FFK-ja, me veteranët e Prishtinës, Llapit, Flamurtarit të Vlorës dhe Tetovës për nder të legjendës, tashmë të ndjerë “Fadil Vokrri”, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse tashmë në moshë, Shaqiri sërish tregoi cilësitë e tij të larta, duke u shpallur si golashënuesi më i mirë i këtij turneu, në të cilin në fund triumfuan veteranët e Tetovës.
“Kjo është një ditë e veçantë për të gjithë ne e veçmas për ekipin tonë nga Tetova, ngase jemi fituesit e parë të këtij turneu tradicional kushtuar Legjendës së madhe të futbollit shqiptar. Figura e Fadil Vokrrit nuk mund të përshkruhet me fjalë, thjeshtë ai ishte dhe do të mbetet përgjithmonë Legjendë” – tha Artim Shaqiri pas përfundimit të turneut në fjalë.
Ndryshe Shaqiri realizoi plotë 4 gola në dy ndeshjet e zhvilluara kundër Flamurtarit dhe Prishtinës. Fillimisht në ndeshjen gjysmëfinale strugani realizoi 3 gola në atë fitore 6:2 ndaj Flamurtarit të Vlorës, ndërsa 1 gol tjetër realizoi në ndeshjen finale kundër Prishtinës, ndaj së cilës skuadër veteranët “kuqezi” nga Tetova triumfuan vetëm pas ekzekutimit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 2:2.
Rikujtojmë aktualisht Artim Shaqiri luan rolin e trajnerit të Flamurtarit të Prishtinës, duke u bërë kështu strategu i katërt nga Maqedonia e Veriut që udhëheqin skuadra nga elita e futbollit kosovar, pas Zekirja Ramadanit (Feronikeli), Ardian Nuhiut (Drita) dhe Xhengis Rexhepit (Dukagjini).