Pas Izair Eminit dhe Bunjamin Shabanit, skuadra e Dritës nga Superliga e Kosovës ka arritur që në rradhët e veta të sjellë edhe portierin e Pobedës, Darko Tofiloski, njofton “infOSport.mk”.
Gardiani 33-vjeçar ishte një ndër figurat kryesore dhe më të ndritura te skuadra e Pobedës sezonin e kaluar në elitën e futbollit vendor, skuadër kjo që megjithatë në fund humbi statusin e skuadrës elitare.
Tofiloski me Dritën e Gjilanit ka nënshkruar kontratë deri qershorin e vitit 2020, ndërsa do të jetë kjo aventura e tij e katërt jashtë Maqedonisë së Veriut, pas atyre në Zvicër me skuadrën e Shafhauzen, pastaj në Sllovaki me skuadrat e Koshice, Ruzhomberok dhe Dunajska Streda si dhe në Armeni me skuadrën e Alashkert.
Ndërkohë informacionet e fundit nga Kosova flasin se Tofiloski do të ketë një konkurrent të fortë në portë, pasi drejtuesit e Dritës janë shumë avfër marrëveshjes me portierin e Kukësit, Faton Maloku, që në këtë mënyrë rikthehet në elitën e futbollit kosovar.