Skuadra nënkampione e vendit, Vardari është mundur me rezultatin 3:0 nga kroatët e Gorica, në kontrolluesen e dytë të zhvilluar në tokën sllovene, njofton “infOSport.mk”.
Dy gola të shpejtë brenda 10 minutëshit të parë bënë që “kuqezinjtë” nga Shkupi të dorëzohen shumë herët në këtë përballje ndaj skuadrës së Goricas që shënoi me anë të Ndaje (5’) dhe Lovriq (10’), ndërsa autorë i golit të tretë doli të jetë Babac në minutën e 62-të.
Në këtë ndeshje te Vardari titullarë luajti sërish sulmuesi i talentuar Xhemal Ibishi, i cili në minutën e 21-të kishte një super rast për të shënuar në rrjetën e Musa, mirëpo i njëjti në ato momente devijoi topin në rivënie nga këndi.
Ibishi luajti deri në minutën e 82-të, kur vendin e tij e zuri Jusuf, ndërsa gjatë pjesës së dytë te Vardari në lojë u inkuadrua edhe kumanovari, Fitor Rexhepi.