Trajner i Shkëndijës, Qatip Osmani ka marrë përgjegjësinë për eliminimin e Shkëndijës që në raundin e parë të Ligës së Kampionëve Europian.
Skuadra kampione e vendit mbrëmë në ndeshjen ekthimit të raundit të parë eliminatorë të zhvilluar në Shkup përballë kampionëve të Estonisë, Nomme Kalju, pësoi disfatë 2:1, që zhvlerësoi në këtë mënyrë fitoren e”kuqezinjëve” në ndeshjen e parë në Talin.
Në konferencën për shtyp të organizuar menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Osmani theksoi se skuadrës i mungoi finalizimi në të dyja ndeshjet kundër Nomme Kalju.
“Jemi gjithë të zhgënjyer. Pësuam një humbje që dhemb shumë dhe i zhgënjyem të gjithë. Ne kishim shanset tona, por nuk u treguam efikas. Dy golat që pësuam ndodhën për shkak se humbëm duelet ajrore. Në këto dy ndeshje luajtëm mirë, e kishim një plan, por na mungoi goditja finale” – u shpreh fillimisht Osmani, i cili tashmë e ka për detyrë që ti motivojë futbollistët për ndeshjet kundër Dudelanzh në kuadër të raundit ë dytë eliminatorë të Liga Europa.
“Tani na mbetet të rikthejmë motivimin në skuadër. Kemi ndeshjen e radhës kundër Dudelanzh në raundin e dytë të Liga Europa. Në rast humbjeje, e gjithë barra bie mbi trajnerin. Nuk kam ndërmend të shfajësohem, marrë të gjitha përgjegjësitë për këtë humbje dhe eliminimin” – përfundoi Osmani.
Ndeshjen e parë të raundit ë dytë eliminatorë në Liga Europa përballë skuadrës kampione të Luksemburgut, Dudelanzh, skuadra e Shkëndijës do ta zhvillojë si vendas me datë 23 korrik në arenën “Todor Proeski” në Shkup.