Futsal Shkupi ka bërë dy superpërforcime në prag të ndeshjeve paraeliminatore të Ligës së Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”. Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut në futsal gjatë ditës së sotme ka prezantuar dyshen kampione Ferid Agushi – Dragan Petroviç, të cilët vijnë nga rradhët e Prishtinës.
Bëhet fjalë për dy lojtarë shumë cilësorë në futbollin e vogël, të cilët pas vetes kanë shumë trofe, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, ndërsa për një kohë të gjatë luanin një rol të rëndësishëm në reprezentacionin e Maqedonisë.
Dragan Petroviç – Brus, pjesë e Futsal Shkupit ishte edhe në sezonin 2016/2017 në ndeshjet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve, ndërsa për Agushin kjo është hera e parë që do të veshë fanellën e skuadrës nga Çairi.
Rikujtojmë Futsal Shkupi këtë vit do të jetë nikoqir i ndeshjeve paraeliminatore të Ligës së Kampionëve Europian. “Bardhekaltërit” do të jenë pjesë e grupit “B”, së bashku me ekipin e Lokomotiv Daugavpils nga Letonia, Kardif Universiteti nga Uellsi dhe Enkamp nga Andora.
Ndeshjet paraeliminatore të grupit “B” do të zhvillohen në palestrën “Kale” nga data 27 gusht deri më 1 shtator në palestrën “Kale”.