Shkëndija sot nga ora 18:00 do ta luajë ndeshjen e parë të raundit të parë eliminator në Ligën e Kampionëve kundër Nome Kaljut të Estonisë. Kuqezinjtë ndjehen gati për të nisur një aventurë të re në Europë, duke dashur që këtë vit ta finalizojnë me kualifikim në grupe.
Njëri nga mesfushorët më të talentuar në radhët e kampionëve, Enur Totre ka folur enkas për “InfOSport.mk” nga Estonia në prag të ndeshjes me Nome Kaljun. Totre vlerëson paraqitjet me Shkëndijën në tre sezonit e fundit në Europë, ndërsa për këtë verë thekson se është një nisje e re, duke pretenduar të bëjnë më të mirë se viteve të kaluara.
“Sonte hapet një kapitull i ri në historinë e paraqitjeve të Shkëndijës në Kupat e Europës. Është kënaqësi e veçant për herë të tretë me këtë skuadër të jesh pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm Europian dhe do të bëjmë gjithçka nga vetja për t’u prezantuar në mënyrë më të mirë të mundshme. Kemi lënë pas përgatitje shumë cilësore dhe përmes ndeshjeve kontrolluese kemi kërkuar të ngritim nivelin e lojës ashtu siç dimë dhe mundemi. Kemi analizusr edhe Nome Kaljun, për të cilët kemi respekt, sepse jo rastësisht kanë dalur kampion sezonin e fundit në Estoni. Prandaj do të hyjmë me një qasje serioze, maksimalisht të koncentruar për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm”, thotë Totre për “InfOSport.mk”.
Mesfushori i talentuar shpreson në rezultat të mirë në transfertën me Nome Kaljun, që në ndeshjen e kthimit pas një jave të ndjehen më komod.
“Normal Shkëndija gjithmonë luan për fitore, por duke ditur se luhen dy ndeshje dhe që takimin e kthimit e luajmë në terren vendas, ne sonte do të kërkojmë të menaxhojmë çdo situatë të mirë të mundshme, gjithsesi, gjithmonë duke kërkuar fitoren, mirëpo duke patur në plan të parë një rezultat që do të na mundësojë revansh sa më të qetë në Shkup”, përfundon Totre.