Renova ka shënuar fitore 5:1 në kontrolluesen e parë të zhvilluar gjatë ditës së sotme përballë Dritës në Bogovinë, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Bujar Islami shënoi fitore 5:1, duke konfirmuar se për momentin është dukshëm skuadër më e mirë se Drita, që sezonin e ri futbollistik do të bëjë gara në Ligën e Dytë – Perëndim.
Remzifaik Selmani, Alban Taipi, Argjend Gafuri, Lutfi Bilali dhe Ilirid Ademi ishin autorë të golave për “gjipspunuesit”, të cilët nga e enjta (11 korrik) do të nisen për në Ohër, aty ku kanë paraparë të zhvillojnë edhe disa ndeshje të tjera, ku tashmë kanë caktuar 3 prej tyre.
Të parën në qytetin e Ohrit do ta zhvillojnë me 13 korrik kundër skuadrës së Labunishtit, me 17 korrik do të përballen me skuadrën serbe të Trayal nga Krushevaci, ndërsa me 20 korrik do të takohen me Tiranën.