Shkëndija edhe zyrtarisht gjatë ditës së sotme ka zyrtarizuar marrëveshjen me brazilianin, Huan Felipe, duke konfirmuar lajmin e liferuar ditë më parë nga portali ynë, “infOSport.mk”.
Felipe vjen nga rradhët e Vardarit, ndërsa me “kuqezinjtë” nga Tetova ai ka nënshkruar kontratë një vjeçare, me opcion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Braziliani 31 vjeçar luan si mesfushor ofenziv, ndërsa që nga vera e vitit 2015 ishte pjesë e kampionatit elitar të Maqedonisë së Veriut si anëtar i Vardarit.
Në vitin 2018 kishte një aventurë të shkurtër me Kairat Almaty të Kazakistanit, ndërsa në futbollin tonë vendor erdhi nga CSKA-ja e Sofies.
Paraprakisht karrierën e ka zhvilluar në vendlindjen e tij në Brazil me skuadrat Sao Carlos, Oriente, Red Bull dhe Santo Andre.
Huan Felipe ekipit “kuqezi” do ti bashkohet vetëm pas kthimit nga Estonia, kur me 9 korrik Shkëndija do të zhvillojë ndeshjen e parë eliminatore në kuadër të Ligës së Kampionëve kundër kampionëve të Nomme Kalju. Ai do të ketë të drejtë loje vetëm për ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminatorë në Shkup, që në program është me datë 16 korrik.