Shkëndija ka kompletuar transferimin më të bujshëm në merkaton verore në futbollin vendor, duke firmosur për dy vitet e ardhshme (1+1) me fantazistin brazilian, Huan Felipe Alves Ribeiro.
Në prononcimin e tij të parë si lojtar i Shkëndijës, braziliani nuk ka fshehur kënaqësinë për këtë marrëveshje, ndërsa zbulon se gjithmonë i ka pëlqyer atmosfera e krijuar nga tifozët e zjartë të Shkëndijës.
“Më në fund unë jam lojtar i Shkëndijës. Unë kam luajtur shumë kohë futboll këtu në Maqedoni dhe gjithmonë kur vija këtu në Tetovë të luaj kundër Shkëndijës kisha vibracione të mëdha për publikun. Sepse më pëlqejnë shumë, janë të mëdhenj, gjithmonë janë shumë të zjartë duke mbajtur ekipin me moral të lartë gjithë kohën. Kjo më ka pëlqyer dhe tani unë pres të jem pjesë e kësaj dhe jam këtu të jap më të mirën nga vetja”, – është shprehur Huan Felipe për kanalin zyrtar të KF Shkëndija.
Braziliani thotë se gjithmonë me qejf ka luajtur në Tetovë, ndërsa tashmë kur më në fund bëhet pjesë e Shkëndijës u drejtohet tifozëve me premtim për përkushtim maksimal ndaj kësaj fanelle.
“Unë dua të ndjej ato emocione, vibracionet që ndjeja kur vija këtu si oponent dhe tani që jam lojtar i Shkëndijës unë dua t’i ndjej edhe në favorin tim gjithashtu. Unë do të jap më të mirën nga vetja për të realizuar objektivat dhe sigurisht se do t’i kërkojmë dhe do t’i realizojmë pritjet”, shton braziliani.
Huan Felipe te Shkëndija do të bartë fanellën me numër 70-të.