FC Shkupi vazhdon të qëndrojë në Bollu të Turqisë për fazën përgatitore, ndërsa një javë para ndeshjes së parë eliminatore në Liga Europa njofton një lajm të hidhur për tifozët tyre, pasi tre futbollistë lëshojnë kampin stërvitor dhe rikthehen në Shkup për shkak të lëndimeve.
Bëhet fjalë për Besar Isenin, që në ndeshjen ndaj Mariuopolit mori një lëndim në krah dhe detyrimisht duhej që ta lëshojë kampin në Bollu. Ndërkohë në ndeshjen ndaj rumunëve të Politehnica ka thyer fibulën e këmbës mbrojtësi i talentuar Besir Ramadani, ndërsa portieri Enes Azizi është lënduar gjatë stërvitjeve.
Që të tre futbollistët janë ritkhyer në Shkup për mjekim. Nga tabori i Çairit kanë njoftuar se Iseni dhe Azizi pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen e dytë kualifikuese ndaj Pjunikut në Shkup, ndërsa për mbrojtësin Ramadani do të pasojë një pauzë më e gjatë.