Shkupi mundet në kontrolluesen e fundit në Turqi

Skuadra e FC Shkupit gjatë ditës së sotme ka zhvilluar ndeshjen e fundit kontrolluese në Bollu të Turqisë, ku tanimë po qëndron për dy javë me rradhë për përgatitjet kryesore në prag të sfidave që këtë skuadër e presin në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.

Kundërshtari i fundit i skuadrës nga Çairi ishte ekipi rumun, Politehnica, skuadër kjo që në fund shënoi fitore me rezultat 1:3 (1:1).

Edhe këtë në takim trajneri Umit Karan e kishte filluar me ndryshime në njëmbëdhjetëshen e parë në dalim nga e fundit kundër ukrainasve të Mariupol. Të dy ekipet e filluan ndeshjen me matjen e forcave në mes të fushës, ndërsa ndryshimi i rezultatit pas disa përpjekjeve nga dy anët, erdhi në minutën e 15-të, kur rumunët kaluan të parët në epërsi me golin që e shënoi Balan.

Por vetëm dy minuta më vonë erdhi kundërpërgjigja nga FC Shkupi, për të barazuar rezultatin me autor Gerogievski.

Shkupi pas golit të shënuar vazhdoi të ushtrojë presion ndaj rumunëve që solli dhe rezultat, pasi në minutën e 37-të, përfitoi një penalti, të cilën në gol nuk mundi ta shndërrojë kapiteni Muharem Bajrami.

Në pjesën e dytë trajneri Karan bëri ndryshime në formacion, ndërsa kundërshtarët këtë e shfrytëzuan në maksimum për të shënuar edhe dy herë në portën tonë. Fillimisht epërsinë në 1:2 e ngriti Danale në minutën e 54-të, që më pas në minutën e 66-të Balan të shënojë edhe golin e dytë personal dhe të tretin për ekipin e Politehnica, që në këtë mënyrë i shkaktoi disfatën e parë skuadrës “bardhekaltër” nga Çairi në tokën turke.

Rikujtojmë FC Shkupi i nisi kontrollueset me fitore minimale 1:0 ndaj boshnjakëve të Çelik, për të barazuar 2:2 në ndeshjen e saj të dytë kundër Mariupolit ukrainas.

Ishte ky testi i fundit për skuadrën nga Çairi gjatë kësaj faze përgatitore, ndërsa qëndrimi në Bollu të Turqisë do të vazhdojë me seanca të rregullta stërvitore, deri në ditën e udhëtimit për në Armeni, kur edhe do të luhet ndeshja e parë kualifikuese për Ligën e Evropës me 11 korrik.

Leave a Reply