Vilian Lira dhe Klarens Bitang janë dy emrat e rradhës që do të braktisin Vardarin, duke kopjuar në këtë mënyrë brazilianin Huan Felipe, i cili në sezonin e ri nuk do të jetë pjesë e “kuqezinjëve” nga Shkupi, njofton “infOSport.mk”.
Ky i fundit mund ti bashkohet Shkëndijës, ndërsa nuk dihet se ku mund të përfundojnë Lira dhe Bitang, të cilët realisht nuk është se lanë edhe shumë gjurmë në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Vilian Lira te Vardari erdhi verën e vitit të kaluar, ndërsa brenda një sezoni ai regjistroi 30 ndeshje, duke realizuar vetëm 3 gola. Me largimin e tij sulmi i Vardarit do mbështetet në forcat e reja, edhe atë futbollistë të dalë nga shkolla e tyre, siç janë Bojan Kolevski, Xhemal Ibishi dhe Azar Omeragiq.
Drejt largimit nga Vardari është edhe mesfushori shkatërrues, Klarens Bitang, i cili skuadrës nënkampione të vendit iu bashkua fillimin e vitit 2018-të. Ai regjistroi 42 ndeshje me fanellën e Vardarit, të cilën me shumë gjasa nuk do ta veshë edhe sezonin e ri, transmeton “infOSport.mk”.
Nëse kemi parasysh se Vardari nuk ka mundësinë e përforcimeve të reja, për shkak pezullimit dy vjeçar nga ana e FIFA-s, ikjet e këtilla vetëm se do të dobësojnë këtë skuadër dhe do të varfërojnë futbollin tonë vendor, pasi në këtë mënyrë vështirë se dikush do të mund ti bënte ballë Shkëndijës së Tetovës, që në përgjithësi ka ruajtur boshtin e skuadrës, ndërsa me siguri se deri në fillimin e sezonit të ri do të shtojë edhe ndonjë përforcim shtesë.