Spanja është kampionja e re e Europës në futboll për të rinj. Në finalen e madhe të zhvilluar në Udine, të besuarit e trajnerit Hose Luis de la Fuente mundën Gjermaninë me rezultatin 2:1, duke iu hakmarrë në këtë mënyrë për disfatën (0:1) në finalen e madhe të para dy viteve.
Fabian Ruis shënoi vetëm pas 7 minutave golin e parë për “iberikët”, ndërkohë në minutën e 69-të Dani Olmo ngriti epërsinë në 2:0. Golin e vetëm dhe të nderit për Gjermaninë në këtë ndeshje finale e realizoi Nadim Amiri në minutën e 88-të.
Spanja nisi europianin me dsfatë nga nikoqrët e Italisë (1:3), mirëpo më pas dominoi përballë kundërshtarëve të saj. Në fazën e grupeve “Furia e Kuqe” luajti edhe me Poloninë dhe Belgjikën, ndërsa në ndeshjen gjysmëfinale demoloi Francën, duke e mundur me rezultatin 4:1.
Për herë të fundit Spanja në piedestal në këtë kategori ishte gjatë vitit 2013-të, kur në finale kishte mundur Italinë. Për Spanjën ishte ky titulli i 5-të, po aq sa kanë edhe “axurrët” e rinj, ndërsa Gjermania mbetet vetëm me dy tituj në kategorinë e 21-vjeçarëve.