Shkëndija ka caktuar edhe miqësoren e fundit për fazën e përgatitjeve që po i zhvillon në Kranjska Gora të Sllovenisë, njofton “infOSport.mk”. Kundërshtarë i fundit i “kuqezinjëve” në tokën sllovene do të jetë skuadra ukrainase e FC Zorya Luhansk, ndeshje kjo që në program është me datë 1 korrik, ndërsa vetëm një ditë më pas ekspedita “kuqezi” do të rikthehet në Tetovë, ku më e relaksuar do të mirëpret ndeshjen e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian kundër Nõmme Kalju.
Ndeshjen e parë Shkëndija do ta zhvillojë me datë 9 korrik në transfertë (18:00), ndërkohë ndeshja e kthimit në Shkup në program është me datë 16 korrik (17:00).
Ndryshe sa u përket përgatitjeve në Slloveni, aty ku “kuqezinjtë” po qëndrojnë që nga data 16 qershor, të njëjtat kanë shkuar sipas planifikimit, lojtarët me përpikmëri kanë realizuar kërkesat dhe ngarkesat e vendosua nga stafi teknik, ndërsa për fat të mirë bilansi shëndetësor është pozitiv, pasi përjashtuar Mevlan Muratin që kishte një zgjatje të lehtë, asnjë futbollist tjetër nuk është ankuar në lëndim. Ndërkohë sa u përket rezultateve nga 3 ndeshjet e deritanishme, ato janë disi të kënaqshme për “kuqezinjtë”, të cilët kanë regjistruar dy fitore minimale 1:0 ndaj Olimpijas së Sllovenisë dhe MSK Zilina të Sllovakisë, dhe një disfatë 1:0 nga Fastav Zlin nga Republika Çeke.