FC Shkupi nuk ndalet, pas Jurina gati të sjellë edhe 3 përforcime të reja

Drejtuesit e FC Shkupit gjatë ditës së sotme prezantuan sulmuesin kroat, Marin Jurina, ndërsa siç mëson “infOSport.mk”, skuadra nga Çairi brenda pak ditëve pritet të firmos së paku edhe me 2-3 emra të rinj.

Bëhet fjalë edhe për një sulmues dhe dy mesfushorë, që pritet të shtojnë konkurrencën në skuadër, pasi deri më tani bankina e skuadrës nga Çairi ka qenë shumë e varfër, ndërsa për një skuadër konkurruese patjetër që nevojiten emra cilësorë, me të cilët FC Shkupi do të synonte që të ketë një aventurë më të gjatë europiane, por njëkohësisht të fitoj edhe epitetin e një skuadre stabile, që për çdo sezon do të luftonte për vendet e para në renditjen e Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë.

FC Shkupi aktualisht ndodhet në Bollu të Turqisë, aty ku tashmë skuadra po punon në ngritjen e formës në prag të ndeshjeve të rrethit të parë eliminatorë të Liga Europa, kundër armenëve të Pjunik.

Ndeshjen e parë FC Shkupi do ta zhvillojë në transfertë me 11 korrik, ndërsa atë kthyese një javë më pas në arenën “Todor Proeski” në Shkup.

 

Leave a Reply