Mungon vetëm zyrtarizimi, Altin Lloga sheh me sy nga Superliga e Kosovës

Transferimi i Altin Llogës në Superligën e Kosovës është vetëm çështje ditësh. Siç mëson “infOSport.mk” futbollisti strugan është shumë pranë marrëveshjes me një ndër skuadrat nga elita e futbollit kosovar, që në këtë mënyrë dita ditës po bëhet një treg shumë i sigurtë për futbollistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Ishte Besmir Bojku i pari që iu bashkua Feronikelit në formë huazimi nga Shkëndija, për të vijuar më pas edhe Muhamed Useini i Renovës dhe Izair Emini i Shkëndijës, që vendosën t’iu bashkohen klubeve nga Anamorava, Gjilanit, gjegjësisht Dritës.

Burime të sigurta pranë portalit tonë bëjnë me dije se Lloga parimisht është dakorduar me skuadrën e tij të re, mirëpo vetëm edhe ca detaje kanë mbetur, që edhe përfundimisht ish sulmuesin e Struga Trim Lum ta shohim duke pozuar me fanellën e skuadrës së tij të re.

Ndryshe 29-vjeçari Lloga ishte një ndër futbollistët më të merituar te Struga Trim Lum sezonin e fundit në Ligën e Dytë, duke e ndihmuar këtë skuadër që të ngjitet në elitën e futbollit vendor, aty ku sulmuesi strugan numëron 35 ndeshje dhe 4 gola të shënuar, transmeton “infOSport.mk”.

Ndryshe Lloga në Maqedoni përveç fanellës së Struga Trim Lum, ka veshur edhe fanellën e Pobedës dhe Gostivarit, ndërkohë gjithashtu një pjesë të karrierës së tij ka kaluar edhe në Shqipëri, duke veshur fanellën e Laçit dhe Elbasanit.

Leave a Reply